Image Image Image Image Image Image Image Image Image Image

Inter Club Albania | October 3, 2022

Scroll to top

Top

80 views
13225036_1096698060373739_2061045901_o

#110Inter – Të rrëzohesh, të ringrihesh e të fillosh të vraposh përsëri

#110Inter – Të rrëzohesh, të ringrihesh e të fillosh të vraposh përsëri
Inter Club Staff

Teksa feston golin e tij të parë me fanellën e Interit, dhe jo një gol çfarëdo, Jonathan Biabiany ndoshta po kujton pasditen e largët të gjashtë viteve më parë, në të cilën i ndryshoi jeta. Atë ditë në vitin 2004, në Paris mbërriti Pierluigi Casiraghi, vëzhgues i zikaltërve: turneu i të rinjve, që ai do vëzhgonte, ishte shtyrë ndaj zbuluesi i talenteve, shfrytëzoi mundësinë për të parë në aksion djemtë e ekipit lokal të Le Blanc-Mesnil. Mes tyre gjendej një 16-vjeçar, me origjinë nga Guadalupe, i cili vrapon me dyfishin e shpejtësisë së shokëve të tij. Casiraghi nuk e pati të nevojshme për të parë pjesën e dytë dhe u largua në pushim të ndeshjes. Dy javë më vonë, Biabiany u bë lojtar i Interit.

Megjithatë, eksperienca tek zikaltrit ka ulje dhe ngritje. Jonatani vrapon si një raketë shpërthyese në krah (distancën prej 100 metra e e bën në më pak se njëmbëdhjetë sekonda), fiton një Scudetto me Primaverat e Interit , por është ende shumë i ri për Serinë A: pas debutimit në Kupën e Italisë në vitin 2007, huazohet tek Chievo dhe më pas tek Modena. Këtu fillon ringritja e tij: golat, assistet dhe galopimet e çmendura në krahë, shpërblehen me debutimin e tij në Serie A me Parmën në sezonin pasardhës, e më pas kthimin tek Inter në vitin 2010. Edhe përpjekja e dytë është shumë e komplikuar, por në mes të vështirësive, shkëlqen një perlë: goli i 3-0 kundër TP Mazembe në finalen e Kupës së Botës për klubet. Biabiany feston në një mënyrë sikur akoma nuk i besohej, pastaj vrapon për të përqafuar Davide Santonin, me të cilin ishin rritur tek të rinjtë e Interit, për të ndarë bashkë me të momentin më të bukur të karrierës së tij sportive.

“Unë ja dola që të fitoja dhe një Botëror për klube, një nga emocionet më të mëdha të jetës sime. Atë kupë e kam bërë tatuazh në krah, sepse kur kam qënë i vogël, as nuk e mendoja që mund të fitoja diçka të tillë.”

Ky do të ishte gëzimi i vetëm tek zikaltërit: një muaj më vonë Biabiany kalon tek Sampdoria, me të cilën rrëzohet në Serinë B në fund të sezonit. Parma e rigjeneroi përsëri atë, deri në momentin që një aritmi kardiake e detyron që të ndalojë së luajturi dhe të ndërpresë kontratën. Por Jonathan është mësuar që të ringrihet dhe të fillojë të vrapojë: Roberto Mancini, trajneri i cili e ka hedhur në fushë për debutimin e tij të parë, vë bast për të dhe në korrik të vitit 2015, fillon “jetën e tij të tretë” si Interist. Kush arriti në majën e botës, duke startuar nga fushat e periferisë, asnjëherë nuk mund të heqë dorë aq lehtë.

Jonathan Ludovic Biabiany (Paris, 28 prill 1988) mbërrin tek Inter në vitin 2004 për një vlerë modeste. Me zikaltërit luan gjithsej 50 ndeshje dhe shënon 2 gola, një prej të cilëve në finalen e Botërorit për Klube 2010. Aktualisht ai është i huazuar tek Sparta Praga.

© Ndalohet riprodhimi i lajmeve pa lejen e Inter Club Albania.