
Hajvalia e Kosovës dëshiron të shpetojë Milanin nga kriza…
Hajvalia “shpëton” Milanin – Natyrisht titulli është më shumë një batutë por që bazohet te nisma më e fundit e klubit kosovar të futbollit.
Sapo kanë mësuar se në kushtet e reja të krizës kur kursimi është një detyrim i panegociueshëm, Milani ka vendosur të nxjerrë në shitje autobusin që përdorej për transportimin e skuadrës për të reduktuar kostot, klubi prishtinas është hedhur në sulm.
Hajvalia në fakt ka bërë përpara për të blerë autobuzin e Milanit, duke ofruar për të 40 mijë euro, sic bën të ditur vetë klubi në faqen e tij zyrtare në Facebook.
Në një komunikatë ku ka lënë mënjanë modestinë ndërsa evidenton se gjendet në shëndet të plotë financiar në një kohë kur Milani është në krizë, Hajvalia i ofron 7 herë kampionëve të Europës 40 mijë euro për të blerë autobusin që deri pak ditë më parë përdorej për transportin e skuadrës së drejtuar nga Pippo Inzaghi dhe në të ardhmen mund të shërbejë për skuadrën e Ismet Munishit.
Për të thënë të vërtetën edhe pse në futboll ekziston shprehja “kurrë mos thuaj kurrë”, ky është një biznes i destinuar për të mos u realizuar për faktin e thjeshtë se autobusi i Milanit vlerësohet diku rreth 160 mijë euro, por po ashtu duhet thënë se Hajvalia edhe një herë tjetër ka gjetur një mënyrë të shkëlqyer për t’i bërë reklamë vetes me një lajm që është i destinuar të kapë xhiron e mediave ndërkombëtare.
Në fakt kjo nuk është hera e parë që klubi nga Prishtina ndërmerr nisma të tilla pasi verën e kaluar, kur Luis Suarez vuante periudhën e pezullimit nga FIFA për shkak të kafshimit ndaj Chiellinit në botëror, Hajvalia duke gjetur shtegun ligjor për shkak të faktit se Federata e Futbollit të Kosovës ende nuk ka aderuar në FIFA i bëri uruguajanit një ofertë për t’u bashkuar me skuadrën e saj.
Hajvalia i ofroi Liverpulit 32 mije euro dhe Luis Suarez një pagë prej 1500 eurosh në muaj, por për fat të keq nuk e fitoi dot ankandin, me Këpucën e Artë të Europës që u transferua te Barcelona për diçka të tillë si 86 milionë euro.