Image Image Image Image Image Image Image Image Image Image

Inter Club Albania | October 3, 2022

Scroll to top

Top

542 views
13225036_1096698060373739_2061045901_o

Rafinha: “Messi më ka folur për Interin. Dua derbin dhe Ligën e Kampionëve, për Spallettin dhe Icardin…”

Rafinha: “Messi më ka folur për Interin. Dua derbin dhe Ligën e Kampionëve, për Spallettin dhe Icardin…”
Rinor Sopaj

Në merkaton e janarit, Interi ia doli që ta sjellë në Milano nga Barcelona. Braziliani, qysh në paraqitjet e tij të para me Interin, ka dëshmuar cilësitë e tij në shërbim të zikaltërve dhe shpreson që të kthehet sa më shpejt në formën më të mirë fizike dhe t’i ndihmojë skuadrës. I intervistuar nga e përditshmja Gazzetta dello Sport ai ka folur për të tashmen, të ardhmen dhe objektivat e tij me Interin:

Rafinha Alcantara, fillojmë me pyetjen të cilën po e bëjnë të gjithë interistat. Si jeni dhe sa mungon që të arrini formën tuaj më të mirë fizike?
“Tani jam mirë, po e gjej ritmin e duhur. Jam i kënaqur me progresin dhe po i përshtatem futbollit tuaj”.

Është e vërtetë që pas disa stërvitjeve të caktuara duhet të ndaleni sepse ndjeni dhimbje në gju?
“Jo, jam mirë, disa dhimbje të vogla janë normale pas shumë muajve jashtë fushës. Mirëpo gjithçka po shkon në drejtimin e duhur. Ndjehem afër formës optimale”.

Kur do të jeni titullar?
“Ideja e Spallettit që të luaj duke u futur gjatë lojës nga stoli ka qenë shumë intelegjente. Sigurisht se çdo lojtar do të donte të luantë nga fillimi, mirëpo në mes të përmirësimit të kushteve fizike dhe nevojës për të kuptuar një futboll të ri mendoj se qasja ka qenë më e mira e mundshme”.

Ndjehesh i gatshëm për të filluar ndeshjen nga fillimi?
“Unë ndjehem gati, mirëpo me trajnerin nuk kemi folur. Në qoftë se kërkon gatishmërinë time, do ja jap. Gjithmonë në qoftë se e kërkon (qesh)”.

Nga jashtë, çfarë ideje keni për derbin e Milanos?
“Është një përballje për të cilën flet e gjithë bota, vlen sa Barcelona-Real Madrid ose River-Boca”.

Çfarë thuhet për San Siron?
“Më pëlqente edhe kur e kam parë të zbrazur, me tifozët është me të vërtetë i veçantë”.

Tifozët vijnë mesatarisht rreth 50 mijë për ndeshjet e skuadrës përkundër vështirësive dhe ju quajnë si shpëtimtarin e shtëpisë. Kjo ju motivon apo ju frikëson?
“Nuk e ndjej presionin e shpëtimtarit të shtëpisë…Është një motivacion më shumë ndaj njerëzve që më kanë pritur në mënyrë të jashtëzakonshme. Gjithmonë ka presion te lojtarët e një niveli të caktuar, mirëpo duhet të mësojmë e ta kthejmë në motivim. Është diçka të cilën duhet ta shpreh unë në mënyrën më të mirë”.

Nuk e keni gjetur në gjendjen më të mirë Interin, që në dhjetë ndeshjet e fundit në kampionat ka marrë vetëm nëntë pikë. Si shpjegohet ky moment?
“Kam mësuar se në futboll, dhe jo vetëm, ekzistojnë ciklet dhe mini ciklet dinamike. Kur fillon një seri negative asnjëherë nuk është e lehtë që të kundërshtosh tendencën. Sigurisht, nuk është një moment i lehtë por me cilësinë që e kemi në skuadër do ia dalim”.

Do të nënshkruaje për të humbur derbin por për të shkuar në Ligën e Kampionëve?
Momenti i vetëm i pasigurisë gjatë gjithë intervistës, mbetet duke menduar në karrige mirëpo pastaj tha: “Jo, dua ta fitoj derbin! Pastaj vije Liga e Kampionëve…”.

Shpjegojeni për tifozët pse Interi kësaj radhe do rikthehet në Evropë në garën më të madhe.
“Sepse kam shumë besim te bashkëlojtarët e mi dhe jam i sigurtë që do bëjmë gjëra të mëdha”.

Mesfushorët nuk po bëjnë gola, shënojnë vetëm Icardi dhe Perisic. Çfarë premtoni në këtë drejtim?
“Por asistet vlejnë sa golat dhe Icardi nuk shkon te porta i vetëm! Candreva p.sh. nuk ka shënuar akoma, por sa asiste ka bërë? Megjithatë, në qoftë se do mund të nënshkruaja për një vend në Ligën e Kampionëve me golat e Icardit dhe Perisicit deri në maj atëherë do ju kërkoja një stilolaps shpejt!”.

Erdhët ju dhe shoku juaj Icardi u ndal…
“Mauro më ka thënë që është mirë, është i ftuar për ndeshjen e radhës. Pas disa viteve që i kemi kaluar te Barcelona, para se ta pranoja ofertën e Interit kam folur me të. Më ka ndihmuar në ditët e para si interist, edhe pse i ri në moshë është një kapiten i madh. Një udhëheqës i vërtet i grupit”.

Fakti që e njihni prej vitesh mund të ndihmojë edhe në fushë?
“Lidhja e mirë me një person të ndihmon edhe në fushë”.

Nga Spalletti çfarë ju ka lënë mbresa?
“Në njërën anë përgatitja e tij futbollistike, më pëlqejnë personat e drejtpërdrejtë si ai, që t’i thonë gjërat në fytyrë. Kemi folur në telefon kur isha akoma në Barcelonë. Kemi folur për idetë e tij, ai e di se mund të luaj në të gjitha pozicionet në mesfushë, por edhe në sulm. Gjatë karrierës time kam luajtur edhe si sulmues i rremë”.

Edhe pse në huazim me të drejtë blerje, sezonin e ardhshëm e shihni veten në Milano duke luajtur në Ligën e Kampionëve?
“Sigurisht, është ajo që dua. Nuk kam ardhur këtu për t’u kthyer në formën më të mirë dhe pastaj të shkoj përsëri në Barcelonë. Dua të qëndroj. Pastaj sigurisht se blerja ime varet nga Interi…”.

Çfarë ju ka thënë Messi para transferimit tek Interi?
“Leo, por edhe Suarez dhe të tjerët, më kanë thënë që po shkoj te një klub historik, një prej më të mëdhenjëve në botë”.

Sapo ke arritur ke thënë se disa prej lojtarëve më të pëlqyer tuajit ishin interista.
“E vërtetë, isha i çmendur pas Ronaldos dhe Adrianos. Ronaldo sepse është Fenomeni. Adriano sepse më të mirën e tij e ka dhënë këtu dhe asnjëherë nuk i humbisja ndeshjet e tij”.

Çfarë grupi keni gjetur?
“Më kanë befasuar me kushtet fizike dhe cilësinë. Kam shumë besim te bashkëlojtarët e mi, nuk mungon asgjë për të arritur kualifikimin për në Ligën e Kampionëve”.

Kush ju ka befasuar më shumë?
“Cancelo. Duke u stërvitur me të më ka impresionuar për atë se sa i fortë është”.

Bashkëkombasi juaj Dalbert nuk po gjen shumë hapësira.
“E njihja edhe më parë, është shumë teknik. Pastaj sigurisht se kur ndërron stilin e futbollit dhe luan pak gjëja më e rëndësishmë është që ta gjesh besimin e duhur”.

Çfarë di për Beneventon?
“E njoh Sandron, edhe pse asnjëherë nuk kemi luajtur bashkë. Nga videot e kam kuptuar që luajnë mirë. Të shpresojmë që kjo mund të jetë një përparësi për ne, duke e pasur parasysh që kundërshtarët zakonisht në Meazza mbrohen dhe mbyllin hapësirat”.

E keni njohur Steven Zhangun?
“Po, kemi pothuajse të njëjtën moshë. Të habit fakti që punon me drejtuesit e tjerë të cilët janë më ekspertë. Por kur e sheh një të ri që po bën punë të mirë është një gjë e bukur”.

Kush fiton në mes të Juves dhe Napolit?
“Derisa e lejojnë numrat, Interi!”.

© Ndalohet riprodhimi i lajmeve pa lejen e Inter Club Albania.